
Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik Nik Gjeloshaj, i cili po kryeson delegacionin e Malit të Zi në vizitë zyrtare në Uashington, më 21 tetor, në emër të Qeverisë dhe Shtetit të Malit të Zi do të nënshkruajë Memorandumin e Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për bashkëpunim ekonomik.
Në delegacionin e kryesuar nga zv.kryeministri Gjeloshaj janë edhe ministri i Energjisë Sasha Mujoviq, Ministri i Punëve Detare Filip Raduloviq, Ministri i Administratës Publike Marash Dukaj, si dhe ministri i Minierave, Naftës dhe Gazit Admir Shahmanoviq.
Gjeloshaj tha se nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit do të kontribuojë në krijimin e një baze të fortë për bashkëpunimin e ardhshëm ekonomik dhe realizimin e projekteve të përbashkëta me interes të përbashkët.
Memorandumi paraqet edhe themelin e kursit properëndimor dhe euroatlantik të Malit të Zi dhe jam vërtet krenar që m’u dha mundësia që, duke ndjekur vlerat më të mira amerikane dhe demokratike, të vulos drejtimin perëndimor të vendit tonë.
“Data e 21 tetorit 2024 do të institucionalizojë përgjithmonë marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Malit të Zi në fushën e ekonomisë, investimeve, projekteve, turizmit, teknologjisë, infrastrukturës, si dhe do të konfirmojë partneritetin dhe aleancën e sinqertë mes vendeve tona”, tha Gjeloshaj. /Malësia.ME/