Nik Gjeloshaj zgjidhet kryetar i Forumit Shqiptar në Kuvendin e Bashkimit

0
39
PrintIM

Në Tuz sot u mbajt Kuvendi i Bashkimit të Forumit Shqiptar, duke shënuar një etapë të re në organizimin politik të shqiptarëve në Mal të Zi.

Me bashkimin e subjekteve politike shqiptare në një organizatë të vetme politike, Forumi Shqiptar vazhdon veprimtarinë me një synim të qartë: përfaqësim më të fuqishëm politik, mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar dhe zhvillimin e barabartë të të gjitha trevave ku jetojnë shqiptarët.

Kryetar i Forumit Shqiptar u zgjodh Nik Gjeloshaj, zëvendëskryetar i parë Ivan Ivanaj, ndërsa zëvendëskryetar i dytë Artan Çobi. Në postin e kryetarit të nderit të Forumit Shqiptar u zgjodh Ferhat Dinosha.

Kuvendi miratoi dokumentet programore dhe statutore, si dhe zgjodhi organet e organizatës së re politike.

Në fjalën e tij, Gjeloshaj theksoi se bashkimi nuk është rezultat i një individi, por i punës së përbashkët, besimit të ndërsjellë dhe pjekurisë politike.

„Qëllimi ynë nuk ishte vetëm bashkimi i subjekteve politike, por bashkimi i popullit tonë rreth një ideje të përbashkët. Dëshmuam se mund të arrijmë rezultate kur veprojmë së bashku. Asnjë individ nuk është mbi idenë e Forumit Shqiptar“, u shpreh ai.

U theksua veçanërisht se Forumi Shqiptar ka karakter kombëtar dhe bashkon shqiptarët nga Malësia, Ulqini, Ana e Malit, Rozhaja, Kraja, Tivari, Gucia, Plava dhe treva të tjera të Malit të Zi, duke ruajtur një lidhje të fuqishme edhe me diasporën.

Rezultatet e deritanishme, përfshirë realizimin e statusit të Komunës së pavarur të Tuzit, përfaqësimin institucional dhe projektet e shumta zhvillimore, përbëjnë bazën për fazën e ardhshme të veprimtarisë politike.

„Forumi Shqiptar mbetet i përkushtuar ndaj së ardhmes evropiane të Malit të Zi, barazisë së të gjithë qytetarëve të tij, decentralizimit dhe avancimit të të drejtave të popujve pakicë“, u bë e ditur në përfundim të Kuvendit.