19.9 C
Tuzi
Monday, April 21, 2025

Mohamed Alabar heq dorë nga nëntë plazhe në Ulqin për t’ua lënë qytetarëve vendas

Mohamed Alabar, themeluesi i Emaar Properties dhe kryetar i Eagle Hills, do të heqë dorë nga nëntë plazhe në Plazhin e Madh të Ulqinit për t’ua lënë në shfrytëzim qytetarëve nga Mali i Zi që kanë konkurruar për to. Këtë e bëri të ditur kryeministri Milojko Spajiq pas takimit me kryetarin e Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, ku diskutuan për tenderin e plazheve.

Kryeministri Spajiq tha se në këtë mënyrë ish-qiramarrësit e plazheve do të mund të vazhdojnë shfrytëzimin e tyre. Ai shtoi se biseda ishte konstruktive dhe se vendimet po merren në interesin e komunitetit lokal dhe të shtetit.

“Kam përcjellë edhe mesazhin nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe investitorit Mohamed Alabar lidhur me projektin për të cilin do të diskutojmë në periudhën e ardhshme. Dëgjuam mendime të ndryshme, shqetësime dhe çështje që dalin në pah me çdo vizion të madh. Çdo histori e madhe kërkon shumë punë dhe për këtë arsye duhet t’i qasemi asaj me seriozitet dhe në partneritet me vetëqeverisjen lokale”, tha kryeministri Spajiq.

Kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, tha për gazetarët pas takimit me kryeministrin se është mirënjohës ndaj Spajiqit për angazhimin e tij në zgjidhjen e problemit që kanë pasur për dekada me ndërmarrjen “Morsko Dobro”.

“Kemi probleme me rritjen e çmimeve të qirasë së plazheve dhe unë e ftova zotin Spajiq sepse kjo është një çështje e madhe që ne, si drejtues këtu, duhet ta trajtojmë me seriozitet,” tha Nimanbegu.

Ai shtoi se dëshiron të përcjellë mesazhin se investitorët janë të mirëpritur në Ulqin, por vetëm nëse punojnë në interes të komunitetit.

Nimanbegu shprehu kënaqësinë e tij që Spajiq po tregon vullnet për të vepruar ndryshe.

“Kryeministri po tregon se jemi në gjendje të biem dakord mbi baza të barabarta. Pamë disa ide, diskutuam për një mega projekt që në shikim të parë duket shumë i madh. Ne kemi planet dhe vizionet tona, prandaj kjo duhet të harmonizohet. Si njerëz përgjegjës, do të vazhdojmë bisedimet dhe kjo përgjegjësi nuk më përket vetëm mua, por të gjithëve,” theksoi Nimanbegu.

Në takim i pranishëm ishte edhe ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave Fatmir Gjeka, deputetët Mehmed Zenka, Ilir Çapuni dhe Artan Çobi, kryetarja e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, Ivana Popoviq, si dhe përfaqësues të partive politike.

/Malësia.ME/


Lajmet e fundit
Related news