Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, ka formuar Grupin e Punës për hartimin e konceptit të Ligjit për Zgjedhjet Lokale, është bërë e ditur nga ky dikaster qeveritar.
• Anëtarët e grupit janë përfaqësues të shquar të institucioneve shtetërore, sektorit civil dhe komunitetit akademik: Prof. Dr. Gjorgje Bllazhiq, Prof. Dr. Srgjan Darmanoviq, Zlatko Vujoviq(CEMI), Dragan Koprivica (CDT), Nikola Mugosha – Kryetar i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Ivan Shikmanoviq – këshilltar i Presidentit të Malit të Zi, ndërsa nga Ministria e Administratës Publike do të marrin pjesë Sekretari i Shtetit Dragisha Janjusheviq dhe ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së përgjithshme për vetëqeverisjen lokale, Nina Blazhiq.
Në mbledhjen e parë të këtij grupi pune, përfaqësuesit e Ministrisë së Administratës Publike theksuan se të gjithë anëtarët ranë dakord se është me rëndësi jetike të hartohet një zgjidhje ligjore që do të sigurojë zhbllokimin e sistemit politik në njësitë e vetëqeverisjes lokale.
• “Reforma e nivelit lokal të qeverisjes është kyçe në procesin e integrimit evropian. Ajo u jep votuesve fuqinë e drejtpërdrejtë për të vendosur, ashtu siç u takon. Zgjidhjet tona do të përqendrohen në zgjedhjen e drejtpërdrejtë të kryetarit të komunës, listat e hapura zgjedhore, zgjedhjen e drejtpërdrejtë të organeve të bashkësisë lokale, mbajtjen e zgjedhjeve lokale në një ditë dhe zgjidhjen e të gjitha problemeve ekzistuese në komunat përkatëse”, tha ministri Dukaj.
Në këtë takim, anëtarët e grupit analizuan kornizën ligjore ekzistuese, përcaktuan dinamikën e punës dhe harmonizuan detajet e mëtejshme të bashkëpunimit në këtë proces të rëndësishëm.
• “Jam i bindur se ky Grup i Punës, Komisioni për Reformën Gjithëpërfshirëse Zgjedhore dhe të gjithë deputetët, si me fjalë ashtu edhe me vepra, do të kontribuojnë që Mali i Zi sa më shpejt të vendosë një mekanizëm efikas të procesit zgjedhor në përputhje me praktikat dhe mekanizmat më të mirë të BE-së”, përfundoi Dukaj.
Pas hartimit, koncepti i Ligjit për Zgjedhjet Lokale do t’i dorëzohet Komisionit për Reformën Gjithëpërfshirëse Zgjedhore të Kuvendit të Malit të Zi.