Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, po merr pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë (ADF), me ftesë të ministrit të Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan.
Dukaj u shpreh se ndihet posaçërisht i nderuar që është ministri i parë i administratës publike nga Mali i Zi që ka marrë një ftesë personale për të marrë pjesë në një ngjarje të këtij niveli, me rëndësi për sigurinë kibernetike, digjitalizimin dhe diplomacinë në mbarë botën.
“Diplomacia digjitale dhe ajo kibernetike sot nuk janë vetëm fusha të reja të marrëdhënieve ndërkombëtare – ato janë thelbi i tyre. Bota ku jetojmë po bëhet gjithnjë e më e ndërlidhur, por edhe më e ndjeshme ndaj rreziqeve,” theksoi Dukaj.
Sipas njoftimit nga Ministria e Administratës Publike (MAP), qëllimi i këtij edicioni të ADF-së është të analizohen sfidat ndërkombëtare dhe të nxisë rikthimi i dialogut dhe i mjeteve diplomatike për zgjidhjen e tyre.
MAP bëri të ditur se pjesëmarrja e Dukajt është një mundësi për të prezantuar angazhimin dhe aktivitetet e Malit të Zi në forcimin e kapaciteteve në fushën e diplomacisë digjitale dhe kibernetike. Me zhvillimin e teknologjive të reja që ndikojnë në mënyrën e komunikimit ndërkombëtar, këto fusha po bëhen gjithnjë e më të rëndësishme për promovimin e objektivave kyçe të politikës së jashtme.
Nga Ministria u theksua gjithashtu se reforma e administratës publike ka për qëllim ndërtimin e një administrate shtetërore transparente dhe efikase në shërbim të qytetarëve, që është një nga parakushtet për funksionimin e mirë të diplomacisë.
Forumi Diplomatik i Antalisë mbledh liderë globalë, akademikë, vendimmarrës, ekspertë të biznesit, përfaqësues të mediave dhe shoqërisë civile për të diskutuar mënyra të reja të bashkëpunimit dhe veprimit të përbashkët në arenën ndërkombëtare.