Të nderuar qytetarë,
Kam nderin dhe kënaqësinë t’ju informoj se partitë shqiptare në Guci, partitë anëtare të Forumit shqiptar dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH) janë bashkuar dhe do të veprojnë në unitet në zgjedhjet lokale të Gucisë, duke realizuar idetë dhe apelet tona.
Forumi Shqiptar, sipas recetës fituese që u themelua në zgjedhjet lokale në Tuz të vitit 2019, i cili është përgjegjës për zhvillimin dhe përparimin e përgjithshëm të shqiptarëve, si dhe integrimin e tyre në të gjitha institucionet, forcimin e vendimmarrjes së tyre si dhe faktorizimin konkret, do të vazhdojë të promovojë misionin e vetë me forca të përbashkëta edhe në zgjedhjet lokale të Gucisë.
Jemi të sigurt se qytetarët e Gucisë do të dinë të vlerësojnë punën e Forumit Shqiptar në aspektin e avancimit të kësaj komune, si dhe angazhimin e madh të kuadrove të Forumit Shqiptar nga niveli shtetëror përmes promovimit të shumë investimeve dhe projekteve në favor të zhvillimit të Gucisë. Ndër të tjera, vlen të përmenden rreth 4 milionë që përmes Drejtorisë për Investime Kapitale kemi siguruar për zhvillimin e infrastrukturës, si dhe fondet që kemi siguruar për sheshin e Ali-pashë Gucisë.
Forumi Shqiptar do të jetë gjithmonë i gatshëm për t’iu përgjigjur të gjitha nevojave të popullit shqiptar dhe për të punuar së bashku për të arritur nivelin më të lartë të progresit të komunitetit tonë.
Përgëzoj skenën politike shqiptare në Guci, përfaqësuesit e Forumit Shqiptar dhe UDSH-së, për vendimin e shkëlqyer dhe atdhetar që jehona e Forumit Shqiptar të vazhdojë të sjellë një standard më të mirë jetese për të gjithë qytetarët.
Qofshim gjithmonë të bashkuar, sepse të bashkuar do të fitojmë, të bashkuar do të arrijmë zhvillim dhe progres në çdo fushë!
Forumi Shqiptar