Fatmir Gjeka përkrah emërimin e drejtoreshës në Ulqin

0
62

Nga Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave e drejtuar nga ministri Fatmir Gjeka deklaruan se emërimi i profesoreshës Snezhana Zhivanoviq në pozitën e drejtoreshës së Gjimnazit Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin ka shkaktuar reagime nga subjekte të caktuara politike, ku ndër të tjera është problematizuar përkatësia e saj nacionale dhe fakti se nuk flet gjuhën shqipe.

“Deklarata të tilla janë shqetësuese dhe të dëmshme, veçanërisht kur vijnë nga zyrtarë shtetërorë. Multietniciteti i Ulqinit përfaqëson një vlerë që duhet mbrojtur përmes të drejtave të barabarta, respektimit të dallimeve dhe zbatimit konsekuent të ligjit, e jo përmes vlerësimit të njerëzve në bazë të emrit, prejardhjes apo përkatësisë nacionale”, thuhet në deklaratë.

Nga Ministria theksojnë se parimi i barazisë duhet të vlejë për të gjithë.

“Drejtuesit e institucioneve arsimore duhet të zgjidhen në përputhje me ligjin dhe procedurat e përcaktuara, mbi bazën e njohurive, profesionalizmit, përvojës, aftësive menaxheriale dhe rezultateve të arritura, në kushte të barabarta për të gjithë kandidatët. Përkatësia nacionale, në vetvete, nuk mund të jetë arsye as për privilegjim dhe as për diskriminim”.

Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave bën thirrje që për çështje të tilla të ndjeshme të flitet me përgjegjësi dhe mbi bazën e fakteve, ndërsa debati publik të përqendrohet te ligjshmëria e vendimeve, kriteret dhe procedurat. Sundimi i ligjit, respekti i ndërsjellë dhe kriteret e njëjta për të gjithë janë mënyra më e mirë për të ruajtur karakterin multietnik të Ulqinit dhe të Malit të Zi”, thuhet në deklaratë