26.9 C
Tuzi
Thursday, July 16, 2026

Dukajt nesër në vizitë zyrtare në Prishtinë për nënshkrimin e Marrëveshjes mbi njohjen reciproke të identifikimit elektronik

Ministri i Administratës Publike, z. Marash Dukaj, do të qëndrojë për vizitë pune në Prishtinë, ku do të nënshkruhet Marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për njohjen reciproke të shërbimeve të kualifikuara elektronike të besimit dhe skemave të identifikimit elektronik që ofrohen në Mal të Zi dhe në Republikën e Kosovës.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje përfaqëson një hap të rëndësishëm në avancimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e transformimit digjital dhe biznesit elektronik, me qëllim krijimin e një kornize ligjore për njohjen reciproke të shërbimeve të kualifikuara elektronike të besimit dhe skemave të identifikimit elektronik ndërmjet dy shteteve.

Me përfundimin e kësaj marrëveshjeje do të krijohen kushtet për përdorim më të sigurt dhe më efikas të shërbimeve elektronike në mjedisin ndërkufitar, do të avancohen siguria juridike dhe interoperabiliteti i sistemeve të identifikimit elektronik, si dhe do të nxitet më tej zhvillimi i ekonomisë digjitale dhe komunikimit elektronik ndërmjet qytetarëve, biznesit dhe institucioneve.

Marrëveshja njëkohësisht përbën një kontribut në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe vazhdimin e harmonizimit me standardet evropiane në fushën e identifikimit elektronik dhe shërbimeve të besimit.

Vizita e punës e ministrit Dukaj në Prishtinë ka një rëndësi të veçantë për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh ndërmjet Malit të Zi dhe Republikës së Kosovës në fushën e transformimit digjital dhe zhvillimit të administratës elektronike.

Lajmet e fundit
Related news