Dialogu i dytë ekonomik në Uashington dhe nënshkrimi i Memorandumit për Bashkëpunim Ekonomik është një moment historik për Malin e Zi dhe përfitimet nga gjithçka që diskutuam ditëve të fundit, do të ndjehen së shpejti në vendin tonë, tha ministri i Administratës Publike Marash Dukaj. Në takime, siç tha ai, u veçuan projekte nga disa fusha, nga zhvillimi i teknologjisë, digjitalizimi, inteligjenca artificiale e deri te siguria kibernetike, ku disa nga përfitimet do të jenë të dukshme deri në fund të vitit.
“Deri në fund të vitit do të krijojmë Akademinë Mësimore, e cila është rezultat i kësaj Marrëveshjeje në bashkëpunim me USAID-in. Gjithashtu, një gjë kyçe për ne është formimi i Agjencisë për Sigurinë Kibernetike. Ligji i ri është në procedurë parlamentare dhe shpresojmë se do të miratohet shpejt. Partnerët tanë amerikanë do të na ndihmojnë jo vetëm për të krijuar programin e kësaj Agjencie, por edhe për të trajnuar në mënyrë adekuate stafin tonë, në mënyrë që të kontribuojmë në ngritjen e institucionit në nivelin më të lartë. Sepse sa më i lartë të jetë ai nivel, do të rritet fluksi i investimeve të huaja dhe ekonomia malazeze do të jetë edhe më e mirë. Agjencia do të mbrojë institucionet kyçe dhe infrastrukturën kyçe”, tha Dukaj.
Një nga temat e rëndësishme në Dialogun Ekonomik në Uashington ishte siguria kibernetike, tha Dushan Pollović, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë për Infrastrukturë, Siguri të Informacionit, Digjitalizim dhe Shërbime elektronike në Ministrinë e Administratës Publike.