Deputeti në Kuvendin e Malit të Zi, Prof. Dr. Ilir Çapuni, ka reaguar lidhur me emërimin e drejtoreshës së Shkollës së Mesme të Kombinuar “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin, duke e cilësuar këtë veprim si vazhdim të një politike shqetësuese kadrovike ndaj shqiptarëve në Mal të Zi.
Në deklaratën e tij për media, Çapuni thekson se çështja nuk duhet të reduktohet në përkatësi politike apo kombëtare, por në respektimin e ligjit dhe procedurave të parapara për institucionet arsimore ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe. Ai kërkon publikimin e dokumentacionit të plotë që dëshmon përmbushjen e kushteve ligjore nga kandidatja e emëruar, si dhe sqarime mbi mënyrën se si është marrë në konsideratë mendimi i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve.
Më poshtë publikojmë deklaratën e plotë të deputetit Ilir Çapuni.
Deklaratë për media
Të drejtat e pakicave nuk janë kuotë politike, por detyrim ligjor i shtetit
Emërimi i drejtoreshës së Shkollës së Mesme të Kombinuar “Vëllazërim-Bashkim” përfaqëson vazhdimin e një politike shqetësuese kadrovike të Qeverisë së Malit të Zi në Ulqin. Duke pasur parasysh mënyrën se si tashmë janë plotësuar pozitat drejtuese në polici, prokurori, Drejtorinë për patundshmëri, edhe ky emërim te qytetarët e Ulqinit shkakton shqetësim serioz, sepse në nivel emocional dhe simbolik, ky vendim rikujton përvojat e dhimbshme të fillimit të viteve të nëntëdhjeta, kur në një moment madje u desh që edhe dëftesat shkollore të shkruheshin ekskluzivisht në qirilic dhe vetëm në një gjuhë.
Pozita e drejtorit të shkollës nuk duhet të jetë objekt i kuotave politike apo kombëtare. Drejtori duhet të zgjidhet në bazë të profesionalizmit, kompetencave dhe rezultateve, por ekskluzivisht përmes një procedure të ligjshme dhe të zbatuar siç duhet. Profesionalizmi dhe respektimi i të drejtave të pakicave nuk janë kritere të kundërta – të dyja përfaqësojnë detyrim ligjor.
Fakti nga biografia e kandidates se ajo zotëron gjuhën shqipe në nivelin B2 është relevant, por nuk jep përgjigje për të gjitha çështjet lidhur me ligjshmërinë e procedurës. Duhet të theksohet se në bazë të cilit dokumentacion dhe në çfarë mënyre është përcaktuar njohja aktive e gjuhës dhe shkrimit shqip, si dhe a është vlerësuar dhe në çfarë mënyre është vlerësuar, mendimi i Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Shqetëson fakti se gjatë zgjedhjeve të fundit të drejtorëve të institucioneve arsimore në Ulqin dhe në vende të tjera ku jetojnë shqiptarë, nuk është marrë në konsideratë në mënyrë përmbajtësore mendimi i Këshillit Kombëtar Shqiptar. Mungesa e një qasjeje përmbajtësore ndaj qendrimeve të Këshillit nuk është vetëm neglizhencë ndaj një shkrese, por edhe neglizhencë ndaj një organi ligjor, përfaqësues të popullit shqiptar në Mal të Zi. Në këtë mënyrë, bëhet I pakuptimtë roli i tij në çështjet me rëndësi të drejtpërdrejtë për arsimin, gjuhën dhe ruajtjen e identitetit.
Prandaj, duhet të publikohet dokumentacioni i plotë, relevant për përmbushjen e kushteve të përcaktuara në nenin 18 të Ligjit për të Drejtat dhe Liritë e Pakicave, mendimi i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve dhe arsyetimi se në çfarë mënyre është shqyrtuar ky mendim. Në Vendimin për zgjedhjen e drejtoreshës, në të cilin kam pasur qasje, mungojnë dy elemente kyçe të përcaktuara me ligj.
Të drejtat e pakicave nuk janë kuotë politike, privilegj apo presion ndaj institucioneve. Ato janë detyrim kushtetues dhe ligjor i shtetit. Multietniciteti nuk mbrohet vetëm me fjalë dhe me thirrje të përgjithshme për barazi, as me dyshime për albanofobi, por me zbatim dinjitoz të ligjit dhe me pjesëmarrje reale të pakicave në marrjen e vendimeve që lidhen drejtpërdrejtë me gjuhën, arsimin dhe identitetin e tyre.
Me respekt,
Prof. Dr. Ilir Çapuni
Deputet në Kuvendin e Malit të Zi
