Shkruan: Agron M Camaj
VERDIKTI
Verdikti i Gjykatës Speciale ndaj katër ish-drejtuesve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) erdhi si rrufe për të gjithë Shqiptarët, më se 27 vite të plota pas përfundimit të luftës në Republikën e Kosovës.
Pikësëpari, vetë procesi i formimit të Dhomave të Specializuara ka qenë në dëm të Kosovës pasi në momentin e themelimit të kësaj gjykate edhe pesë gjykata të tjera janë marrë me administrimin e krimeve që janë bërë gjatë luftës në Kosovë, që nga Tribunali për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi (ICTY) deri tek gjykatat vendore të Kosovës. Gjykata Speciale u themelua mbi pohime të pabazuara (mbi pohime të tmerrshme mbi tregëtinë me organe, p.sh.) që me aktakuza të para u vërtetuan si të pavërteta, por proceset kanë vazhduar deri më sot, deri tek aktgjykimi që u shqiptua ndaj katër pjestarëve të lartë të UÇK-së dhe që me befasi të madhe u pritë jo vetëm nga populli i Republikës së Kosovës, jo vetëm nga Shqiptarët, por edhe nga përfaqësuesit asokohe dhe aktual të shteteve që drejtpërsëdrejti ishin të përfshirë në zgjidhjen e konfliktit të armatosur në Kosovë. Konfliktit të një shteti që përdori të gjithë fuqinë e vetë të armatosur kundër një populli që u organizua në vetëmbrojtje.
Por, çfarë thotë verdikti i sotëm?
Së pari, duhet të merret para sysh se, përveç se bëhet fjalë për një aktgjykim të befasueshëm, ky aktgjykim është vetëm verdikti i shkallës së parë, e deri tek një vendim i formës së prerë ndodhet një rrugë e gjatë juridike. Sidoqoftë, aktgjykimi të cilin sot e lexoi gjyqtari Smith është individual, dhe në asnjë mënyrë dhe me asnjë fjalë nuk i pranon pretendimet e pikës 1 të aktakuzës së Prokurorisë për krime kundër njerëzimit dhe kundër popullësisë civile në përgjithësi. Përkundrazi!
Së dyti, verdikti i sotëm, duke marrë në konsideratë të gjitha pikat për të cilat janë dënuar katër pjestarë të UÇK-së, shprehimisht dallon fajësinë individuale nga ekzistimi i fajësisë eventuale të UÇK-së në terësi. Ky aktgjykim edhe në këtë formë nuk gjykon në asnjë mënyrë as idenë kryesore të formimit të UÇK-së, por as nuk e vënë në hije rezultatin hyjnor – shpalljen e pavarësisë së Kosovës. UÇK-ja doli në skenë publikisht me datë 28 nëntor 1997 dhe drejtësia e luftës së saj kundër një organizmit shtetëror të armatosur që vitë e dekada (mos të them shekuj) me radhë ushtroi dhunë ndaj popullit shqiptar vetëm dhe vetëm se ishin shqiptarë – me këtë aktgjykim nuk vihet në pikëpyetje.
Lufta e UÇK-së ka qenë çlirimtare. Është zhvilluar në territorin e Republikës së Kosovës, jo jashtë kufijve të saj, dhe në qendër të stemës së UÇK-së ndodhet emblema e shqiponjës – totemit rreth të cilit mblidhen të gjithë Shqiptarët kudo që janë. Ky aktgjykim, e theksoj përsëri – aktgjykim i shkallës së parë – vërteton se nën shqiponjën tonë nuk është zhvilluar një luftë sulmuese, por vetëm mbrojtëse, ashtu siç ishte gjatë gjithë historisë së popullit tonë. Flamuri shqiptar kurrë në histori nuk ka qënë prijës i një ushtrie sulmuese! Dhe, prandaj, duhet kapërcyer grackën e narrativit që ky verdikt është dënimi i misionit të shenjtë të UÇK-së! Një gjë që e vërteton këtë është edhe fakti se me këtë aktgjykim janë individualizuar viktimat, por edhe autorët që ende e kanë para vetës rrugëtimin deri tek forma e prerë e këtij aktgjykimi. E çdo viktimë e pafajshme e çdo trazire e stuhie lufte meriton respekt njerëzor!
Nga ana juridike, me kujtohet aktgjykimi i Tribunalit për ish-Jugosllavine (ICTY) ndaj Nikolla Shainoviqit, Vllastimir Gjorgjeviqit, Nebojsha Pavkoviqit e tj, me të cilin shprehimisht është vërtetua angazhimi shtetëror kundër popullsisë civile shqiptare dhe me të cilin të akuzuarit janë dënuar edhe për krime kundër njerëzimit (edhe nëse dënimet e tyre ishin më të ulëta se dënimet ndaj katërshës së UÇK-së). Për krime kundër njerëzimit katër pjestarë të UÇK-së u shpallën të pafajshëm! Dhe këtu është thelbi i kontekstit: në një anë me aktgjykim të formës së prerë të ICTY është vërtetuar angazhimi shtetëror kundër popullsisë civile shqiptare, ndërsa ky aktgjykim i shkallës së parë e përcakton përjashtimisht dhe shprehimisht përgjegjësinë individuale (nëse vërtetohet kjo me një aktgjykim të formës së prerë). Ky aktgjykim, sado që paraqet arsye për ditë zie për të gjithë Shqiptarët, në kuptimin e plotë juridik përjashton mundësinë që UÇK-ja e Kosova të mbajnë mbi vetë çfarëdo lloj fajësie. Përkundrazi, fryma çlirimtare e UÇK-së u theksua edhe nga vetë gjyqtari Smith!
Në fillim të këtij shekulli kam punuar në zyrën e Fondit për të Drejtën Humanitare. Të dhënat që i ka bashkuar Fondi kanë vërtetuar vrasjen e më së paku 6872 civilëve shqiptarë në Kosovë në periudhë ndërmjet 20 marsit dhe 14 qershorit 1999. Fakti është që 27 vjet më vonë, asnjë komandant i lartë i Ushtrisë Jugosllave apo i Ministrisë së Brendshme nuk është ndjekur penalisht në Serbi për operacionet gjatë të cilave u vranë mijëra civilë, pavarësisht mijëra fakteve të përcaktuara në aktgjykimet e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë. E nderimi i viktimave të pafajshme dhe ballafaqimi me të kaluarën janë tejet të domosdoshme për nënqiellin tonë.
Vuajtjet dhe lufta e Shqiptarëve të Kosovës gjithnjë kanë qenë të vështira. Edhe ky aktgjykim i shkallës së parë është një nga vështirësirat me të cilat ballafaqohet populli ynë. Por, jam më se i bindur se katër ish-prijësit ushtarak do të tregohen qëndresëtarë duke e ditur se fryti i luftës së tyre është liria e popullit për të cilin dhe në emër të të cilin kanë luftuar! E liria ka emër!
AMC
