Gjelaj: Komuna e Tuzit hap rrugën për një investim prej 1,3 miliardë eurosh në inteligjencën artificiale dhe teknologji

0
25

Sot, Kuvendi i Komunës së Tuzit i hapi rrugën procedurës për dhënien me qira të tokës përmes thirrjes publike, pas interesimit dhe propozimit të një investitori për ndërtimin e një kampusi për inteligjencë artificiale dhe një qendre të të dhënave.

Sipas propozimit të paraqitur nga investitori, parashikohet një investim prej 1,3 miliardë eurosh, në tri faza:

▪️ 216 milionë euro në fazën e parë, me afat të propozuar realizimi prej 10 muajsh.
▪️ 534 milionë euro në fazën e dytë.
▪️ 550 milionë euro në fazën e tretë.

Investitori parashikon realizimin e plotë brenda katër vjetësh. Këto shifra dhe afate janë pjesë e propozimit të tij, ndërsa dhënia e tokës me qira do t’i nënshtrohet procedurës së thirrjes publike dhe shqyrtimit të ofertave.

Sipas vlerësimit të Drejtorisë për Pronën Shtetërore, çmimi fillestar minimal i qirasë së tokës është rreth 1,8 milionë euro në vit dhe do të shërbejë si bazë për thirrjen publike.

Komuna ka ndërmarrë hapat për përgatitjen e kësaj thirrjeje, në të cilën të interesuarit do të mund të paraqesin ofertat e tyre. Synimi ynë është të krijojmë kushtet që ky interesim të shndërrohet në një investim konkret, përmes një procedure transparente dhe në interes të qytetarëve, duke hapur perspektiva të reja për zhvillimin ekonomik dhe teknologjik të Malësisë.
Lindon Gjelaj