Përfaqësuesi i PD-së, në Kuvendin e Forumit Shqiptar: Bashkimi i shqiptarëve në Mal të Zi, një akt përgjegjësie dhe pjekurie politike

0
59

I nderuar zoti Nik Gjeloshaj,
Të nderuar zotërinj Ivanaj dhe Dinosha,
Të nderuar përfaqësues të Forumit Shqiptar,
Të dashur motra dhe vëllezër,
Është një kënaqësi dhe nder i veçantë të jem sot mes jush, në këtë ditë të rëndësishme për shqiptarët e Malit të Zi dhe për mbarë kombin tonë.
Kam nderin t’ju përcjell përshëndetjet më të përzemërta të Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, ish kryeministrit, Profesor Doktor Sali Berisha, i cili, në pamundësi për të qenë sot i pranishëm, më ka ngarkuar ta përfaqësoj në këtë kuvend. Në emër të tij dhe të Partisë Demokratike, ju uroj nga zemra suksese në këtë kapitull të ri që po hapni.

Sot më vjen mirë që jemi dëshmitarë të një vendimi që mbart një domethënie shumë më të madhe se politika e ditës. Një vendimi që i flet ndërgjegjes sonë kombëtare dhe përgjegjësisë që kemi për brezat që do të vijnë.

Bashkimi, të dashur miq, ka qenë një nga mësimet më të mëdha të historisë sonë.
Ne shqiptarët e dimë mirë se çfarë do të thotë të përballesh me vështirësi, të ruash identitetin, gjuhën, traditat dhe dinjitetin përballë sfidave të historisë. Kemi përjetuar ndarje dhe padrejtësi, por kemi ditur të ruajmë atë që na bën një komb. Sa herë kemi vendosur interesin e përbashkët mbi dallimet tona, kemi gjetur forcën për të ecur përpara.

Këtu, në Malësi, këto fjalë kanë një kuptim të veçantë.
Unë vij nga Vlora, qyteti ku në vitin 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë. Por, një vit përpara Vlorës, në prillin e vitit 1911, ishte pikërisht Malësia e Dedë Gjo Lulit që ngriti flamurin tonë kombëtar në Deçiq.
Ai flamur ishte simboli i një populli që kërkonte të jetonte i lirë, me emrin, gjuhën dhe dinjitetin e vet.
Nga Deçiqi i Malësisë te Vlora e Pavarësisë, historia na mëson se asnjë krahinë nuk e ka ndërtuar e vetme fatin e kombit tonë. Ai është ndërtuar nga sakrificat dhe përpjekjet e përbashkëta të shqiptarëve, kudo që ata kanë jetuar.
Prandaj, sot, këtu në Tuz, dua t’ju them se bashkimi juaj është një akt përgjegjësie dhe pjekurie politike.
Dua të përgëzoj veçanërisht drejtuesit që e bënë të mundur. Për t’u bashkuar nuk mjafton vetëm vullneti. Duhet karakter, largpamësi dhe gatishmëri për të vendosur një qëllim më të madh mbi ambiciet individuale. Kjo është shenjë e lidershipit të vërtetë.

Forumi Shqiptar ka dëshmuar përmes bashkëpunimit se përfaqësimi i bashkuar mund të sjellë rezultate. Sot ju po i jepni këtij bashkëpunimi një themel më të qëndrueshëm, duke kaluar nga një aleancë politike në një organizim të përbashkët.
Forca e këtij bashkimi nuk duhet të matet vetëm me mandatet, postet apo rezultatet elektorale. Ajo duhet të matet me atë që do të thotë për jetën e shqiptarëve të Malit të Zi.
Me mundësitë që do të kenë të rinjtë për të ndërtuar të ardhmen në vendlindjen e tyre. Me të drejtën për t’u arsimuar në gjuhën amtare dhe për të ruajtur trashëgiminë kulturore. Me zhvillimin ekonomik të Malësisë, Ulqinit, Anës së Malit, Krajës, Plavës dhe Gucisë. Me respektimin e pronës, barazinë para ligjit dhe pjesëmarrjen dinjitoze në institucionet e shtetit.

Shqiptarët e Malit të Zi janë qytetarë me rrënjë të thella në këtë tokë, pjesë e pandashme e historisë dhe e së ardhmes së saj. Ata kanë të drejtë të jenë pjesëmarrës dhe bashkëvendimmarrës në drejtimin e vendit.

Një faktor shqiptar i fortë do të thotë një Mal i Zi më demokratik, më i drejtë dhe më i qëndrueshëm.

Shqiptarët kanë qenë dhe mbeten një faktor i rëndësishëm stabiliteti në Ballkan. Angazhimi ynë në proceset demokratike, bashkëpunimi me aleatët perëndimorë dhe mbështetja për integrimin euroatlantik kanë qenë kontribute të rëndësishme për të ardhmen e rajonit.

Ne e dimë se paqja e qëndrueshme nuk ndërtohet mbi dobësinë apo heshtjen e popujve, por mbi lirinë, dinjitetin dhe respektin e ndërsjellë.
Një komunitet që ka besim në identitetin dhe të drejtat e veta është më i aftë të ndërtojë ura me komunitetet e tjera. Një faktor politik i organizuar dhe me përgjegjësi mund të jetë një partner i besueshëm për forcimin e demokracisë dhe institucioneve.
Prandaj, forcimi i shqiptarëve në Mal të Zi nuk duhet parë si diçka që u shërben vetëm shqiptarëve. Ai është një kontribut për vetë Malin e Zi dhe për të gjithë rajonin.
E ardhmja që dëshirojmë është ajo e një Ballkani ku marrëdhëniet ndërmjet popujve nuk përcaktohen më nga frika dhe konfliktet e së kaluarës, por nga bashkëpunimi, zhvillimi ekonomik, respekti për identitetin e secilit dhe përkatësia në familjen europiane.
Në këtë të ardhme, shqiptarët kanë një rol të rëndësishëm për të luajtur.
Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët që jetojnë në Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut e kudo tjetër përfaqësojnë një potencial të madh njerëzor, ekonomik dhe kulturor. Lidhjet tona duhet të përkthehen në më shumë bashkëpunim, investime, arsim cilësor dhe mundësi për brezat e rinj.

Sfida më e madhe që kemi sot nuk është vetëm të ruajmë atë që na lanë të parët. Është të krijojmë kushtet që brezat e ardhshëm të mos detyrohen të largohen nga vendlindja për të pasur një jetë dinjitoze.

Historia na ka ngarkuar të ruajmë identitetin tonë. E ardhmja na ngarkon t’i japim atij identiteti mundësi për të lulëzuar.

Të dashur miq,
Në një kohë kur Europa dhe bota po përballen me ndryshime të mëdha, ne shqiptarët duhet të kemi besim te vetja, te aftësitë tona dhe te forca e bashkëpunimit. Duhet të ruajmë lidhjet me miqtë dhe aleatët tanë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Europën, duke kontribuar me përgjegjësi në sigurinë dhe zhvillimin e rajonit.

Partia Demokratike e Shqipërisë i vlerëson thellësisht lidhjet vëllazërore me shqiptarët e Malit të Zi. Na bashkon historia, gjuha dhe kultura, por mbi të gjitha na bashkon dëshira që shqiptarët, kudo ku jetojnë, të kenë liri, dinjitet dhe mundësi për të ardhmen. Te ne ju do të gjenj përherë një shtëpi të dytë dhe një dorë të shtrirë për të çuar përpara interesin më të mirë të shqiptarëve kudo ku ata janë.

Nga ky kuvend në Tuz, le të dalë një mesazh i qartë, që të dëgjohet në Podgoricë, në Tiranë, në Prishtinë dhe në çdo kryeqytet europian: shqiptarët janë të përkushtuar ndaj identitetit të tyre kombëtar, ndaj demokracisë, ndaj paqes dhe ndaj së ardhmes europiane të rajonit.

Të dashur motra dhe vëllezër,
Dikur, këtu në Malësi, të parët tuaj u bashkuan për të mbrojtur flamurin dhe lirinë. Sot, brezit tonë i takon një përgjegjësi tjetër: ta kthejë atë trashëgimi në institucione të forta, në zhvillim, në mirëqenie dhe në dinjitet për çdo familje shqiptare.
Le të jemi të denjë për historinë që trashëguam dhe për të ardhmen që kemi detyrë të ndërtojmë.

Ju uroj suksese në këtë rrugëtim të ri.
Zoti e bekoftë Malësinë!
Zoti i bekoftë shqiptarët, kudo që jetojnë!

Ju faleminderit!