IPP „Nënë Tereza” shënoi Ditën e Kopshtit, një ditë kushtuar fëmijërisë, bashkimit dhe dashurisë, duke prezantuar arritjet dhe projektet e realizuara gjatë vitit.
Drejtori Msc. David Junçaj veçoi hapjen e njësisë së re edukative „Foleja” në Triesh, fitimin e Flamurit të Gjelbër në kuadër të projektit „Eko-Shkolla”, si dhe projektin „Zhvillimi i qëndrueshëm”, me temën „Mësojmë përmes dramatizimit”. Me këtë rast u prezantua edhe numri i tretë i revistës së institucionit, „Dielli”.
Junçaj shprehu mirënjohje për stafin edukativ, prindërit, Komunën e Tuzit, Entin për Shkollim, Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi dhe Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit për mbështetjen e vazhdueshme.
Ai theksoi gjithashtu se, me mbështetjen e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, institucioni është pajisur me kompjuterë, printerë dhe televizorë të rinj, mobilie të reja për fëmijët, si dhe është bërë adaptimi dhe pajisja e kuzhinës me pajisje të reja, me qëllim përmirësimin e kushteve dhe modernizimin e institucionit.
Në përfundim, Junçaj riafirmoi përkushtimin e IPP-së „Nënë Tereza” për të krijuar një mjedis të sigurt dhe stimulues, ku çdo fëmijë ka mundësi të mësojë, të zhvillohet dhe të rritet me dashuri.

Fjalimi i plotë i drejtorit:
Dita e IPP ,,Nënë Tereza” – festë e fëmijërisë, bashkimit dhe dashurisë
Të dashur fëmijë, të nderuar prindër, kolegë dhe bashkëpunëtorë,
Me kënaqësi të veçantë ju drejtohem sot, në këtë ditë të rëndësishme për institucionin tonë, një ditë që na bashkon rreth vlerës më të çmuar të shoqërisë sonë – fëmijëve dhe të ardhmes së tyre.
Çdo vit, kopshti ynë mirëpret fëmijë të rinj, duke dëshmuar besimin e vazhdueshëm të prindërve dhe rëndësinë që familjet i kushtojnë edukimit parashkollor. Kjo përfaqëson një përgjegjësi të madhe, por edhe besimin që prindërit kanë te institucioni ynë.
Ky besim është rezultat i punës dhe angazhimit të përditshëm të stafit tonë, i cili kujdeset me dashuri për mirëqenien dhe zhvillimin e çdo fëmije.
Gjatë këtij viti, institucioni ynë ka shënuar arritje të rëndësishme. Ndër to veçohet hapja e njësisë së re edukative „Foleja” në Triesh, e cila zgjeron mundësitë për edukimin parashkollor dhe afron shërbimet tona me familjet e kësaj zone.
Po ashtu, fitimi i Flamurit të Gjelbër në kuadër të projektit „Eko-Shkolla” tregon përkushtimin tonë ndaj mbrojtjes së mjedisit. Përmes aktiviteteve edukative dhe krijuese, fëmijët mësojnë të kujdesen për natyrën dhe të zhvillojnë aftësitë e tyre.
Tjetër projekt që zë vend të veçantë në veprimtarinë tonë është ,,Zhvillimi i qëndrueshëm”, me temën: Mësojmë
përmes dramatizimit, përmes të cilit fëmijëve u krijohen mundësi të reja për të shprehur veten, për të zhvilluar imagjinatën dhe për të zbuluar aftësitë e tyre krijuese. Në këtë projekt përfshihen si fëmijët e çerdhes, ashtu edhe ata të grupeve të kopshtit, duke u dhënë mundësinë të përjetojnë botën e aktrimit në përputhje me moshën dhe mundësitë e tyre zhvillimore. Përmes lojës në role, interpretimit, lëvizjes
dhe shprehjes emocionale, fëmijët zhvillojnë komunikimin, gjuhën, vetëbesimin dhe aftësinë për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin.
Me gëzim të veçantë sjellim para jush numrin e tretë të revistës sonë “Dielli”, një botim që tashmë është bërë pjesë e identitetit të institucionit tonë dhe një dëshmi e bukur e rrugëtimit tonë të përbashkët.
“Dielli” është më shumë se një revistë – është historia jonë e shkruar me dashuri, një mozaik kujtimesh dhe një pasqyrë e punës, përkushtimit dhe ëndrrave që rriten bashkë me fëmijët tanë.
“Dielli” le të vazhdojë të ndriçojë, duke ruajtur kujtimet e sotme dhe duke frymëzuar ëndrrat e së nesërmes!
Në këtë ditë të veçantë, shpreh mirënjohjen time të sinqertë për të gjithë stafin edukativ, për punën dhe përkushtimin e tyre të përditshëm. Falënderoj prindërit për besimin dhe bashkëpunimin, Komunën e Tuzit, Entin përShkollim, Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Mal të Zi për dhurimin e koleksionit të librave për kopshtin tonë dhe të gjithë bashkëpunëtorët tanë për mbështetjen e vazhdueshme.
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen tonë të sinqertë për Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, për mbështetjen e vazhdueshme dhe investimet e rëndësishme në institucionin tonë.
Pajisjet e reja kompjuterike, printerët, televizorët, mobiliet e reja për fëmijet si dhe adaptimin dhe pajistej e reja per kuzhinë. Ato janë investime konkrete në përmirësimin e kushteve të punës, në modernizimin e institucionit tonë.
Të dashur fëmijë,
Ju jeni gëzimi i përditshëm i kopshtit tonë. Me buzëqeshjet tuaja, ju i jepni kuptim punës sonë dhe na kujtoni se fëmijëria është një dhuratë e çmuar. Uroj që çdo ditë në kopsht të jetë për ju një mundësi për të mësuar dhe për të krijuar kujtime të bukura.
Do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim që IPP „Nënë Tereza” të jetë një institucion ku çdo fëmijë gjen dashuri dhe mundësi për t’u zhvilluar.
Sepse fëmijët janë drita e së ardhmes sonë, ndërsa detyra jonë është t’ua ndriçojmë rrugën me dije dhe dashuri.
Në emër te IPP “Nënë Tereza” si dhe në emrin tim personal ju uroj gëzuar ditën e kopshtit.
Drejtor
Msc David Junçaj
