Nikollë Gegaj nderohet me Mirënjohje nga Qarku i Shkodrës

0
192

Sot në Shkodër, në ambientet e Qarkut, kryetari i Këshillit të Qarkut, Edmond Ndou, ia dorëzoi çmimin „Mirënjohje” Nikollë Gegaj, figurës së çmuar të mbarë kombit shqiptar nga Tuzi, si shenjë respekti dhe vlerësimi të veçantë për kontributin e tij të çmuar në forcimin e miqësisë, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve në Mal të Zi dhe Qarkut të Shkodrës, si dhe për përkushtimin e vazhdueshëm në jetën publike e shoqërore dhe në promovimin e vlerave tona të përbashkëta.

Në ceremoni ishin të pranishme shumë personalitete të çmuara nga Mali i Zi, Malësia e Madhe, Shkodra dhe viset e tjera shqiptare.

Për vlerat dhe kontributin e çmuar të Nikollë Gegaj folën kryetari i Këshillit të Qarkut, Edmond Ndou, kryetari i Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, deputetët Azgan Haklaj dhe Agron Çela, si dhe, nga Tuzi, gazetari dhe redaktori i Radios së Malit të Zi në gjuhën shqipe, Marash Dedvukaj, dhe profesori Zef Gjokaj.

Ndër të tjera, u theksua se Nikollë Gegaj, edhe në momentet më të vështira, ishte përfaqësues i denjë i shqiptarëve në Mal të Zi, gjithmonë në mbrojtje të identitetit kombëtar, në promovimin e vlerave tona dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet shqiptarëve në të dyja anët e kufirit. Ai u vlerësua si një shembull frymëzues dhe një udhërrëfyes i vlefshëm për çdo politikan të ri apo për këdo që synon të ndërtojë një karrierë në jetën publike.