Kryetari i Kuvendit të Tivarit kundër formimit të Komunës Urbane të Krajës

0
60

Kryetari i Kuvendit të Komunës së Tivarit, Branislav Neneziq, ka dalë kundër iniciativës për formimin e Komunës Urbane të Krajës, të cilën Forumi Shqiptar ia ka kërkuar kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajiq, si pjesë e detyrimeve të parapara në Marrëveshjen për mbështetjen parlamentare dhe formimin e Qeverisë së 44-t të Malit të Zi.

Forumi Shqiptar ndër kërkesat që i ka paraqitur Kryeministit është edhe nisja e dialogut institucional dhe përgatitja e një analize juridike, ekonomike dhe territoriale për formimin e Komunës Urbane të Krajës, e cila do të përfshinte bashkësitë lokale Ostros dhe Gjuravc (Gjyraç), me një model të qartë të kompetencave dhe financimit.

Ndërkohë, Neneziq ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj kësaj iniciative, duke paralajmëruar për, siç është shprehur ai, përpjekje për të zhvlerësuar arritjet e deritanishme përmes politikave të përçarjes.

„Gjatë ditëve të fundit po tentohet të zhvlerësohet ajo që është arritur, përmes politikave retrograde të përçarjes, të cilat na kthejnë në të kaluarën e errët“, ka deklaruar Neneziq.

Ai ka pretenduar se disa aktorë synojnë, siç është shprehur, „etnofederalizim të dhunshëm të komunës sonë, duke nxitur përçarje mes Shestanit, Krajës dhe Tivarin tonë“.

Sipas Neneziqit, është detyrë e qytetarëve që, „për hir të së ardhmes së fëmijëve tanë“, të paralajmërojnë për këto zhvillime dhe t’u japin fund atyre.