Forumi Shqiptar me platformë kërkesash për Qeverinë: Projekte kapitale, statusi i qytetit për Ulqinin, përfaqësim autentik politik, ndarja e pronës mes Tuzit dhe Podgoricës…

0
49

Kryesia e Forumit Shqiptar ka miratuar një përfundim, me të cilin lideri politik i Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj, është ngarkuar të përgatisë një platformë me kërkesat e Forumit Shqiptar dhe t’ia prezantojë atë kryeministrit Milojko Spajiq. Kështu mëson në mënyrë jozyrtare, por nga burime të besueshme, Antena M.

Forumi Shqiptar kërkon realizimin e projekteve kapitale në zonat ku jetojnë shqiptarët, statusin e qytetit për Ulqinin, rikthimin e menaxhimit të të Mirave Detare në kompetencë të komunave bregdetare, përfaqësim autentik politik të shqiptarëve, përdorim të lirë të simboleve kombëtare dhe të gjuhës shqipe, përfaqësim proporcional në institucione, ndarjen e pronës ndërmjet Tuzit dhe Podgoricës, si dhe përmirësimin e pikave kufitare.

Në listën e kërkesave, siç mëson Antena M, do të jetë edhe shkarkimi i drejtoreshës së sapoemëruar të Gjimnazit në Ulqin.

Kryesia ka diskutuar që të gjitha kërkesat të përcaktohen qartë me afate dhe që me kryeministrin të arrihet një marrëveshje detyruese për afatet dhe mënyrën e realizimit të tyre.

Nëse nuk arrihet marrëveshje me kryeministrin ose nëse detyrimet e marra nuk realizohen brenda afateve të përcaktuara, lideri i Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj, do ta informojë Kryesinë, e cila do të marrë vendim për hapat e mëtejshëm politikë.

Në këtë rast, vendimi më i mundshëm do të ishte dalja e Forumit Shqiptar nga Qeveria, bëjnë të ditur burimet e Antena M.

Kryeministri Spajiq, por edhe opinioni, do të njoftohen deri në fund të kësaj jave me përmbajtjen përfundimtare të platformës së Forumit Shqiptar dhe me afatin brenda të cilit Qeveria duhet të japë përgjigje.