Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, në kuadër të Konferencës së Ambasadorëve në Prishtinë, së bashku me Kryetarin e Komunës së Ulqinit, z. Genci Nimanbegu, dhe Ambasadorin e Malit të Zi në Republikën e Kosovës, SH.T. Bernard Çobaj, zhvilloi takim me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin në detyrë të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca.
Gjatë takimit u diskutua për pozitën dhe përfaqësimin e shqiptarëve në Mal të Zi, rolin e tyre në jetën politike dhe institucionale, si dhe zhvillimet me rëndësi për komunitetin shqiptar.Konjufca vlerësoi se faktori shqiptar ka qenë dhe mbetet një forcë e rëndësishme në orientimin euroatlantik dhe në zhvillimin demokratik të Malit të Zi.Në fokus të bisedës ishin edhe marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, të cilat u vlerësuan si marrëdhënie të mira fqinjësore, të mbështetura në respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim. Mali i Zi u cilësua si një partner i rëndësishëm i Kosovës në proceset e integrimit evropian.
