Çobi: DPS deklaron se ulqinakët janë malazezë, a do të reagojnë partitë shqiptare që janë me ta në pushtet lokal?

0
28

Shefi i Klubit të Deputetëve të Forumit Shqiptar, Artan Çobi, reagoi ndaj deklaratës së kryetarit të Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS), Danijel Zhivkoviq, për Ulqinin, duke theksuar se në një shoqëri demokratike çështjet identitare duhet të trajtohen me argumente, e jo me fyerje dhe fushata urrejtjeje.

Çobi u përgjigj se është mirë që qytetarët e Ulqinit e dëgjuan qëndrimin politik të DPS-it se ulqinakët qenkan malazezë, duke shtuar se tani do të jetë interesante të shihet nëse partitë shqiptare që ushtrojnë pushtetin me DPS-in në Ulqin a do të reagojnë lidhur me këtë deklaratë apo do të zgjedhin heshtjen, si shumë herë deri tani.

“Ajo që është e padiskutueshme është se DPS ka më së paku të drejtë morale të mbajë leksione për Ulqinin. Pikërisht gjatë periudhës së qeverisjes së tyre, Ulqini u shkatërrua ekonomikisht, mijëra njerëz u larguan nga qyteti, ndërsa mundësitë për zhvillim u humbën për vite me radhë”, deklaroi ai.

Çobi shtoi se për këtë arsye është e vështirë të shmanget përshtypja se për DPS-in, Ulqini ishte para së gjithash një plaçkë politike dhe ekonomike, e jo një qytet për të ardhmen e të cilit janë kujdesur sinqerisht.

“Në fund, zoteris Zhivkoviq do t’i dërgohet edhe ‘udhëzuesi për shërimin e albanofobisë’. Ndoshta pas kësaj do ta ketë më të lehtë të kuptojë dallimin mes respektimit të identitetit të një populli autokton dhe përpjekjeve për ta paraqitur atë identitet si problem”, deklaroi Çobi.