Deçiqi dhe Mornari do të përballen nesër në orën 20:30 në stadiumin e qytetit në Podgoricë, në finalen e Kupës së Malit të Zi, e cila është edhe ripërsëritje e finales së sezonit të kaluar në Nikshiq.
Deçiqi është kampion në fuqi dhe kërkon të përsërisë suksesin e vitit të kaluar.
Skuadra nga Tuzi ka arritur në finale pas një ecurie të fortë, ku ka eliminuar Otrant-Olimpik, Buduqnost dhe Sutjeskën.
Trajneri Nebojsha Jandriq tha se finalja është ndeshja më e rëndësishme e sezonit dhe se ekipi është i gatshëm për sfidën.
“Shpresoj që ambienti të jetë i mirë dhe publiku të shijojë një ndeshje që është më e bukura e sezonit në futbollin malazez. Është privilegj të jesh pjesë e kësaj finaleje. Kemi punuar gjatë gjithë sezonit dhe jemi gati për këtë moment,” u shpreh Jandriq.
Zëvendëskapiteni Leon Ujkaj u shpreh optimist para ndeshjes dhe tha se përvoja e fitimit të trofeut mund të jetë vendimtare për ekipin.
“E kemi ndier çfarë do të thotë të fitosh Kupën dhe e dimë si arrihet kjo. Na pret një ndeshje e vështirë, por besojmë në punën tonë dhe shpresoj ta kurorëzojmë sezonin me trofe. Nuk jemi rastësisht këtu, kemi eliminuar dy kundërshtarë shumë të fortë,” tha Ujkaj.