Në takimin për avancimin e infrastrukturës informatike, të organizuar në bashkëpunim me DCAF-in, ministri i Administratës Publike, mr. Marash Dukaj, theksoi se Mali i Zi ka bërë përparim të rëndësishëm në fushën e sigurisë kibernetike, duke u avancuar “një dekadë” krahasuar me gushtin e vitit 2022.
Ai nënvizoi se pas sulmit kibernetik të vitit 2022 janë ndërmarrë reforma të shpejta, duke përfshirë miratimin e Ligjit për sigurinë e informacionit të harmonizuar me direktivën NIS2, formimin e CIRT-it shtetëror dhe krijimin e G-SOC modern për parandalimin dhe reagimin ndaj incidenteve.
Së fundmi është themeluar edhe Agjencia për siguri kibernetike, e cila do të koordinojë aktorët e infrastrukturës kritike.
“Siguria kibernetike është prioriteti më i lartë i sigurisë sonë kombëtare dhe i integrimeve evropiane. Sot, Mali i Zi jo vetëm që ndjek standardet globale, por po bëhet një shtyllë e besueshme e stabilitetit digjital në rajon”, theksoi ministri Dukaj.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të kuadrit institucional dhe zbatimit të Programit të Reformave, i cili nuk është vetëm një detyrim formal ndaj Bashkimit Evropian, por një prioritet strategjik për shtetin dhe ekonominë. Hapat kyç përfshijnë zgjerimin e sistemit për shkëmbimin e informacionit mbi kërcënimet dhe forcimin e partneritetit ndërmjet shtetit dhe operatorëve të infrastrukturës kritike.
Dukaj, ndër të tjera, deklaroi: “Të udhëhequr nga përvoja, ne po ndërtojmë një të ardhme digjitale të sigurt për Malin e Zi, e cila është e qëndrueshme dhe mbron çdo qytetar të saj. Ne po ndërtojmë në mënyrë proaktive një sistem që i parashikon dhe i neutralizon sulmet kibernetike para se të ndodhin.”