Ministria e Administratës Publike ka propozuar përbërjen e Komisionit të Arbitrazhit për përcaktimin e kufirit territorial dhe ndarjen e pasurisë ndërmjet Kryeqytetit të Podgoricës dhe Komunës së Tuzit. Për kryetar të Komisionit është propozuar Anton Markiq, ish-gjyqtar dhe avokat me përvojë shumëvjeçare. Përfaqësuese e Qeverisë është propozuar juristja Marija Mrvaljeviq.
Ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, në përputhje me konkluzionet e Qeverisë së Malit të Zi, ka paraqitur propozimin për emërimin e Komisionit të Arbitrazhit, i cili pritet të zgjidhë çështjet e hapura ndërmjet Podgoricës dhe Tuzit.
Nga Ministria bëjnë të ditur se vëmendje të veçantë i kanë kushtuar përzgjedhjes së kandidatit për kryetar të Komisionit, duke pasur parasysh kompleksitetin e procedurës, kohëzgjatjen e mosmarrëveshjes dhe rëndësinë e çështjeve që do të shqyrtohen.
„Është vlerësuar se kryetari i Komisionit duhet të jetë jurist me përvojë të konsiderueshme në zbatimin dhe interpretimin e dispozitave juridike pronësore, si dhe me përvojë të drejtpërdrejtë në drejtimin dhe zgjidhjen e procedurave komplekse juridike“, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Për këtë arsye, për kryetar është propozuar Anton Markiq, ish-gjyqtar dhe avokat.
„Përvoja e tij përfshin vendimmarrjen në procedurat qytetare dhe jashtëkontestimore, përfaqësimin e interesave të komunave, drejtimin e shërbimit juridik, përfaqësimin para gjykatave ekonomike dhe arbitrazheve, si dhe ushtrimin shumëvjeçar të profesionit të avokatit në fushën e kontesteve qytetare dhe ekonomike dhe të marrëdhënieve kontraktuale“, theksojnë nga Ministria.
