Komuna e Tuzit ka prezantuar disa projekte të reja infrastrukturore që kanë filluar të realizohen dhe që parashikohen të zbatohen gjatë periudhës në vijim. Sipas kryetarit të komunës, Lindon Gjelaj, këto investime synojnë lehtësimin e qarkullimit të mjeteve dhe pritet të ndikojnë pozitivisht në jetën e përditshme të qytetarëve. “Komuna e Tuzit ka hapur dy prokurime publike, njëri me vlerën 1.4 milion euro, ndërsa tjetri me vlerën 1 milion euro dhe janë të parapara për rregullimin e infrastrukturës rrugore”, thotë ai.
“Në këtë drejtim, Komuna e Tuzit ka filluar punimin e rrugëve prej pjesës malore, nga bjeshka e Koritës dhe do vazhdojmë në të gjithë territorin e komunës”, shprehet Gjelaj. Përveç investimit aktual në Koritë dhe në rrugë të tjera lokale, i dyti projekt ka të bëjë me vendbanimin Dinoshë. “Javën e kaluar kemi nënshkruar kontratën për punimin e urës në Dinoshë, projekt me vlerë mbi 900 mijë euro”, njofton kryetari i komunës së Tuzit. Nga komuna e Tuzit, njoftojnë gjithashtu se brenda këtij viti do të fillojnë edhe me punimin e rrugës Tuz- Mataguzhë, me vlerë prej 5.3 milionë euro, njëkohësisht edhe shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit në Traboin. RTMZ
