Kryetari i klubit parlamentar të Forumit Shqiptar, Artan Çobi, reagoi ndaj qëndrimeve të deputetit Ilir Çapuni lidhur me Propozim-ligjin për vetëqeverisjen lokale, duke deklaruar se problemet e Ulqinit nuk burojnë nga zgjidhjet ligjore të Ministrisë së Administratës Publike, por nga, siç tha ai, “paaftësia kronike e pushtetit lokal për të menaxhuar burimet e veta”.
Çobi deklaroi se ka ardhur koha që të ndërpritet praktika e bartjes së përgjegjësisë për çdo problem lokal tek pushteti qendror.
“Edhe pse tentohet të krijohet përshtypja se shteti në mënyrë sistematike pengon zhvillimin e Ulqinit, dhe në të kaluarën kjo shpesh ka qenë e vërtetë, kur flasim për këtë temë e vërteta është shumë më e thjeshtë dhe më e dhimbshme për aktorët politikë lokalë: problemet e Ulqinit nuk qëndrojnë në tekstet ligjore të Ministrisë së Administratës Publike, por në paaftësinë kronike të pushtetit lokal për të menaxhuar burimet e veta. Si deputet, por edhe si dikush që angazhohet për stabilitet, rezultate ekonomike dhe sundim të ligjit, duhet të theksoj se është koha të ndalojmë praktikën e politizimit, ku për çdo dështim lokal, çrregullim komunal apo humnerë financiare fajësohet pushteti qendror”, tha Çobi në deklaratën për media.
Kryetari i klubit parlamentar të Forumit Shqiptar vlerësoi se Propozim-ligji për vetëqeverisjen lokale, i përgatitur nga Ministria e Administratës Publike, përfaqëson një hap serioz drejt vendosjes së rendit, disiplinës financiare dhe kritereve të matshme në sistemin e vetëqeverisjeve lokale.
“Besoj se Ministria e Administratës Publike nuk udhëheq politika mbi bazën e emocioneve dhe udhëpërshkrimeve nga shekujt e kaluar, por mbi bazën e parametrave të saktë që sigurojnë qëndrueshmëri. Kriteret e vendosura, si pjesëmarrja e të hyrave vetanake mbi 30% dhe mungesa e borxhit tatimor ndaj shtetit për dy vite radhazi, nuk janë shpikur për të nënçmuar askënd. Këto janë standarde ekonomike dhe administrative që i detyrojnë komunat të jenë të përgjegjshme ndaj qytetarëve të tyre. Statusi i qytetit nuk mund të jetë vetëm një titull dekorativ historik; ai duhet të garantojë fuqi ekonomike, fiskale dhe institucionale që sjell cilësi më të mirë jetese për qytetarët. Në vend që të kritikojë këto kritere, pushteti lokal në Ulqin duhet të pyesë veten pse administrata e tyre nuk është në gjendje t’i përmbushë ato”, tha Çobi.
Ai shtoi se shembulli i Komunës së Tuzit dhe veprimi i Forumit Shqiptar në nivel lokal dhe shtetëror është dëshmia më e mirë se problemi nuk qëndron te sistemi apo shteti.
“Forumi Shqiptar, përmes rezultateve konkrete, qasjes së përgjegjshme ndaj buxhetit dhe vizionit zhvillimor, ka dëshmuar se si një komunë e re mund të transformohet në qendër ekonomike dhe administrative. Tuzit nuk i kanë pritur meritat historike për të sjellë përparim; investimet në infrastrukturë, fabrika, hapja e vendeve të reja të punës dhe financat stabile janë rezultat i punës së njerëzve që nuk kërkojnë justifikime dhe nuk e fajësojnë Podgoricën për sfidat e tyre të brendshme”, konsideron deputeti i Forumit Shqiptar.
Ai theksoi se është paradoksale që Ulqini, i cili posedon potenciale natyrore dhe turistike shumë më të mëdha se shumica e komunave në Mal të Zi, sot druhet nga parametrat fiskalë dhe administrativë.
“Pyetja për kujdestarët lokalë është: Kush e pengon vetëqeverisjen lokale në Ulqin të arkëtojë në mënyrë efikase të hyrat e veta? Kush është përgjegjës për planifikimin e dobët, borxhet e grumbulluara dhe administratën joefikase që nuk arrin të shndërrojë resurset e mëdha të Plazhit të Madh, Qytetit të Vjetër dhe Valdanosit në një buxhet lokal të qëndrueshëm? Ulqini ka të gjitha predispozitat për të qenë një gjigant ekonomik dhe një qytet i mirëfilltë në kuptimin e plotë të fjalës, por që kjo të ndodhë, politika lokale duhet të kalojë nga terreni i teorive boshe dhe ankesave në terrenin e punës së palodhshme, reformave dhe disiplinës financiare. Ka ardhur koha që pushteti lokal të marrë përgjegjësi për oborrin e vet”, përfundoi Çobi.