Në Komunën e Tuzit u shënua Dita e Evropës, ku kryetari i komunës, Lindon Gjelaj, së bashku me kryetarin e Kuvendit të Komunës, z. Fadil Kajoshaj, pritën në një takim zyrtar delegacionin e Qeverisë së Malit të Zi dhe Ambasadës së Gjermanisë.
Në takim morën pjesë ministrja e Çështjeve Evropiane, znj. Maida Gorçeviq, ministri i Administratës Publike, z. Marash Dukaj, ministrja e Punëve Publike, znj. Majda Axhoviq, sekretari shtetëror në Ministrinë e Administratës Publike, z. Naim Gjokaj, si dhe z. Rahman Kaçar, ndihmës i reisit për çështje fetare dhe arsim. Takimit iu bashkua edhe ambasadori i Gjermanisë në Mal të Zi, z. Peter Felten.
Gjatë këtij takimi u diskutua për bashkëpunimin ndërinstitucional, projektet zhvillimore dhe perspektivën evropiane të Komunës së Tuzit, me fokus të veçantë në avancimin e iniciativave që kontribuojnë në zhvillimin dhe mirëqenien e qytetarëve tanë.
Pas takimit, ata vizituan fabrikën e vajit të ullirit “Lluçka”, ku u pritëm nga pronarja Sellma Haxhi, e cila prezantoi punën dhe përkushtimin në ruajtjen e traditës dhe zhvillimin e prodhimit vendor.
Në vazhdën e aktiviteteve, vizituan edhe Medresenë, ku, në kuadër të shënimit të Ditës së Evropës, u organizua një program kulturor i përgatitur nga nxënësit, të cilët, përmes interpretimeve të tyre, prezantuan vlera artistike, kulturore dhe edukative.
Lindon Gjelaj shprehu mirënjohje për vizitën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me Qeverinë e Malit të Zi dhe partnerët ndërkombëtarë, në rrugën tonë drejt integrimit evropian dhe zhvillimit të mëtejshëm të Komunës së Tuzit.