Në mbledhjen e sotme të 126-të të Qeverisë së Malit të Zi u përcaktua Projektligji për Vetëqeverisjen Lokale – një nga ligjet reformuese më të rëndësishme në fushën e administratës publike dhe decentralizimit në Malin e Zi bashkëkohor.
Pas më shumë se tre vitesh dialogu të vazhdueshëm, kemi arritur te një tekst ligjor që është i pjekur për shqyrtim në Kuvendin e Malit të Zi. Kemi përgatitur një ligj të harmonizuar me standardet evropiane të decentralizimit dhe kemi krijuar një model që i përgjigjet nevojave reale dhe gjendjes në Mal të Zi, deklaroi ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, në konferencën për media.
Ministri Dukaj theksoi se thelbi i reformës është që vetëqeverisjet lokale të marrin më shumë përgjegjësi, por edhe më shumë mundësi për të vendosur mbi zhvillimin e tyre.
“Kjo nuk është vetëm një reformë administrative. Kjo është një politikë e re zhvillimore e Malit të Zi, në të cilën komunat marrin një rol më të fuqishëm për të avancuar komunitetet e tyre, për të zhvilluar potencialet lokale dhe për të qenë drejtpërdrejt përgjegjëse ndaj qytetarëve për rezultatet që arrijnë”, theksoi Dukaj.
Projektligji përfaqëson shumë më tepër sesa një ndryshim normativ. Me të vendosen themelet e një modeli të ri të qeverisjes së shtetit – një modeli në të cilin vetëqeverisjet lokale nuk janë vetëm zbatues të vendimeve nga qendra, por partnerë të fuqishëm të zhvillimit, përgjegjës për cilësinë e jetës së qytetarëve dhe të aftë për të menaxhuar në mënyrë të pavarur potencialet e tyre.
Thelbi i reformës është i qartë: shteti duhet të jetë më afër qytetarëve, ndërsa vetëqeverisja lokale më efikase, më përgjegjëse dhe më funksionale.