Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me deputeten Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, ka takuar një grup krijuesish shqiptarë nga Mali i Zi, pjesëmarrës të edicionit IV të Festivalit Poetik të Prishtinës, që po mbahet nga 21 deri më 25 janar 2026 dhe organizohet nga ObserverKult.
Në takim u diskutua për bashkëpunimet kulturore dhe lidhjet që letërsia i mban të gjalla mes hapësirave shqiptare.
Kurti theksoi rëndësinë e festivalit në “forcimin e komunikimit përmes fjalës artistike, me theks të veçantë në prezantimin e letërsisë shqipe në Malin e Zi brenda programit të festivalit.”
Poezia shqipe nga Plava e Gucia, Ana e Malit dhe Kraja, Tuzi e Ulqini, sipas Kurtit përfaqëson “dëshmi e qëndrueshmërisë së gjuhës dhe e dinjitetit kulturor, një mënyrë për ta ruajtur kujtesën dhe për ta shtrirë praninë tonë shpirtërore ndër breza, duke e bërë vargun urë nga një vendbanim te tjetri, nga një kujtim te një e ardhme e përbashkët.”
Ky takim thekson përpjekjet për promovimin e kulturës dhe letërsisë shqipe dhe rolin e festivalit si një platformë për dialog dhe bashkëpunim ndërkufitar.