7.9 C
Tuzi
Monday, January 26, 2026

Procesi i demarkacionit ndërmjet Podgoricës dhe Tuzit: Vendimi pritet brenda 30 ditësh

Pas gati nëntë vitesh, procesi i demarkacionit ndërmjet Kryeqytetit të Podgoricës dhe Komunës së Tuzit është rifilluar. Është mbajtur mbledhja e parë e Këshillit Organizativ në këtë vit, ndërsa nga Ministria e Administratës Publike bëhet e ditur se brenda 30 ditëve të ardhshme do të dihet nëse do të arrihet një marrëveshje apo nëse çështja do të zgjidhet përmes arbitrazhit.

Mbledhja e parë e Këshillit Organizativ për përcaktimin e kufijve ndërmjet Podgoricës dhe Tuzit në këtë vit, gjithsej e katërmbëdhjeta që nga fillimi i procesit, hapi dilemat nëse ky proces shumëvjeçar po i afrohet përfundimit. Në Ministrinë e Administratës Publike theksojnë se si arritja e marrëveshjes brenda këshillit, ashtu edhe arbitrazhi, janë zgjidhje të mundshme, por se synimi kryesor është mbyllja përfundimtare e procesit.

“Brenda Këshillit Organizativ ekzistojnë disa përfundime, por më i rëndësishmi është ai që, jo më vonë se 30 ditë nga mbajtja e këtij takimi, do të kemi një qëndrim të qartë si nga njëra ashtu edhe nga ana tjetër e njësive të vetëqeverisjes lokale, nëse janë dakord me kërkesat e të dyja palëve dhe që procesi të përfundojë brenda Këshillit Organizativ, ose, në të kundërtën, të shkohet drejt arbitrazhit”, tha sekretari shtetëror në Ministrinë e Administratës Publike, Naim Gjokaj.

Afati 30-ditor pritet të sjellë një vendim përfundimtar, ndërsa në Ministrinë e Administratës Publike vlerësojnë se nevojitet një zgjidhje më efikase, duke pasur parasysh se Këshilli Organizativ, ndër vite, nuk ka dhënë rezultatet e pritura.

Synimi është funksionaliteti, në mënyrë që të krijohen kushte për më shumë investime në të dyja komunat dhe që vetë komunat të menaxhojnë tokën e tyre”, thekson Gjokaj.

Edhe pse ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare, vlerësohet se takimi është zhvilluar në një atmosferë konstruktive.

Lajmet e fundit
Related news