Zëvendëskryeministri i Qeverisë për politikë ekonomike dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, priti në një vizitë lamtumire ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Mal të Zi, Judy Rising Reinke. Me këtë rast u vlerësua se Memorandumi për bashkëpunim ekonomik me SHBA-të përbën një aspekt kyç të përpjekjeve të përbashkëta për përmirësimin e klimës investuese, njoftoi ministria përkatëse.
Siç thuhet në njoftim, Gjeloshaj e falënderoi Reinke për punën e saj të përkushtuar në forcimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Malit të Zi dhe SHBA-ve, veçanërisht në fushën e dialogut dhe bashkëpunimit ekonomik.
“Nënshkrimi i Memorandumit për bashkëpunim ekonomik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfaqëson një aspekt kyç të përpjekjeve tona të përbashkëta për të përmirësuar klimën investuese dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik. Rëndësia e këtij Memorandumi qëndron në faktin se ai hap mundësi të reja për tregti, investime dhe projekte të përbashkëta që kontribuojnë në prosperitetin e shteteve tona”, tha Gjeloshaj.
Më tej në njoftim thuhet se Reinke vlerësoi zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale, duke theksuar rëndësinë e intensifikimit dhe thellimit të mëtejshëm të lidhjeve ekonomike ndërmjet Malit të Zi dhe SHBA-ve.