Andrea Berishaj është shpallur sportistja më e mirë e Malit të Zi për vitin 2025, në zgjedhjen tradicionale të Komitetit Olimpik të Malit të Zi.
Reprezentuesja e Malit të Zi në taekwondo fitoi këtë çmim prestigjioz në konkurrencë me 15 kandidatë.
Berishaj e meritoi këtë vlerësim falë fitimit të medaljes së bronztë në Kampionatin Evropian për seniorë, të mbajtur në Aigle të Zvicrës.
Vitin do ta mbajë mend edhe për medaljet e bronzta në konkurrencën e të rinjve (U21), të fituara në Kampionatin Botëror në Kenia dhe në Kampionatin Evropian në Prishtinë.
Motra e saj më e madhe, Anxhela Berishaj, ishte shpallur tre vjet më parë sportistja më e mirë e re e Malit të Zi.