-2.1 C
Tuzi
Tuesday, December 30, 2025

Dukaj: Ministria e Administratës Publike do të bëhet ministria e parë digjitale gjatë vitit 2026

Ministria e Administratës Publike deri në fund të këtij viti ka arritur rezultate të matshme. Qytetarëve dhe ekonomisë sot u janë në dispozicion 57 shërbime publike digjitale, është krijuar platforma funksionale eUprava, si dhe platforma digjitale për interoperabilitetin e regjistrave, ndërsa synimi është që vitin e ardhshëm të bëhemi ministria e parë digjitale, e cila e eliminon plotësisht letrën nga procedurat administrative.

Këtë e deklaroi ministri i Administratës Publike, mr. Marash Dukaj, në ngjarjen e organizuar nga Ministria për të prezantuar rezultatet dhe hapat e ardhshëm të Agjendës së Reformës me fokus në fushën e digjitalizimit.

Ministri theksoi se Agjenda e Reformës për periudhën 2024–2027 përfaqëson një kornizë të qartë politike të përkushtimit të Ministrisë ndaj vlerave evropiane, qeverisjes së përgjegjshme dhe rezultateve të matshme, me theks të fortë në transformimin digjital si mjet kyç për modernizimin e shtetit.

Është e rëndësishme të theksohet se zbatimi i Agjendës së Reformës tashmë sot sjell rezultate konkrete në aspektin financiar. Hapat e realizuar reformues i mundësojnë Malit të Zi qasje në mjete të konsiderueshme përmes Instrumentit për Reformë dhe Rritje në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, duke konfirmuar kështu edhe më tej besimin e Bashkimit Evropian në kapacitetin reformues të shtetit tonë, tha Dukaj.

Ai theksoi se rezultatet e arritura në periudhën e kaluar sigurojnë që proceset në administratën publike të përshpejtohen, të thjeshtohen dhe të bëhen më transparente.

“Po digjitalizojmë intensivisht proceset e brendshme brenda vetë Qeverisë. Kemi gjithashtu një qëllim të qartë të brendshëm që nga viti 2026 Ministria e Administratës Publike të bëhet ministria e parë digjitale, e cila do ta eliminojë plotësisht letrën nga procedurat administrative”, theksoi Dukaj.

Duke folur për fushën e sigurisë kibernetike, Dukaj rikujtoi se është miratuar Ligji i ri për sigurinë e informacionit, plotësisht i harmonizuar me direktivën NIS2 të Bashkimit Evropian, është krijuar G-SOC si bërthamë operative për mbrojtje 24/7 të infrastrukturës digjitale shtetërore, si dhe është themeluar Agjencia për Siguri Kibernetike dhe organet e saj drejtuese.

“Është formuar gjithashtu Qendra për Kapacitetet Kibernetike të Ballkanit Perëndimor (WB3C), së bashku me partnerët tanë – Francën dhe Slloveninë. Kjo qendër e pozicionon Malin e Zi si nyje rajonale të dijes, bashkëpunimit dhe ndërtimit të kapaciteteve në fushën e sigurisë kibernetike, në partneritet të ngushtë me Bashkimin Evropian dhe shtetet anëtare”, përfundoi Dukaj.

Lajmet e fundit
Related news