Komuna e Tuzit ka paraqitur padi në Gjykatën Administrative të Malit të Zi, së bashku me një propozim për caktimin e masës së përkohshme, me qëllim anulimin e vendimit të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore të datës 18 nëntor, me të cilin është lëshuar leja ndërtimore për ndërtimin e vaskës së pestë sanitare. Ky vendim është marrë duke bërë shkelje të rënda të procedurës dhe me zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Ministria e ka zhvilluar procedurën duke u nisur nga supozimi i pasaktë se lokacioni në fjalë ndodhet në territorin e Podgoricës, edhe pse pa diskutim ndodhet në Komunën e Tuzit. Në procedurën administrative nuk janë përfshirë shërbimet tona kompetente, dhe as nuk është kërkuar ndonjë pëlqim i vetëm i parashikuar me ligj nga vetëqeverisja lokale.
Një veprim i tillë përbën shkelje të rëndë të kompetencave, ndërhyrje në pavarësinë e administratës lokale dhe injorim të përkatësisë territoriale të përcaktuar qartë, e cila mund të verifikohet lehtësisht përmes dokumentacionit dhe evidencave zyrtare – tha Lindon Gjelaj, kryetari i Komunës së Tuzit.