Ministri i Administratës Publike të Malit të Zi, Marash Dukaj, u prit në një audiencë zyrtare nga Papa Leoni XIV në Vatikan.
Ministri Dukaj shprehu mirënjohjen për kontributin e Selisë së Shenjtë në promovimin e stabilitetit global dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Ai vlerësoi progresin në procesin e themelimit të Nunciaturës Apostolike rezidente në Podgoricë, duke theksuar përkushtimin e Qeverisë së Malit të Zi për finalizimin e këtij procesi sa më shpejt.
Gjatë takimit u nënvizua rëndësia e forcimit të marrëdhënieve ndërmjet Malit të Zi dhe Selisë së Shenjtë, si dhe gatishmëria e të dyja palëve për të avancuar bashkëpunimin në projekte që mbështesin zhvillimin shoqëror dhe institucional të vendit.