17.9 C
Tuzi
Sunday, November 9, 2025

Vazhdimi i aksionit “Çmime të limituara”: Çmimet më të ulëta për 15 deri në 20 për qind

Qeveria ka miratuar vendimin për vazhdimin e aksionit “Çmime të limituara”, i cili do të përfshijë pothuajse të njëjtën grupë produktesh si në aksionin e mëparshëm, ndërsa çmimet do të jenë më të ulëta për 15 deri në 20 për qind.

Zëvendëskryeministri për politikë ekonomike dhe ministër i zhvillimit ekonomik, Nik Gjeloshaj, ka theksuar se në bashkëpunim me Dhomën Ekonomike dhe prodhuesit, gjatë ditëve të fundit janë zhvilluar disa takime në bazë të të cilave është marrë vendimi për kufizimin e marzhës për një numër të caktuar produktesh.

Aksioni do të fillojë tetë ditë pas publikimit të vendimit në Fleten Zyrtare dhe do të zgjasë deri më 1 mars të vitit të ardhshëm. Lista e produkteve do të publikohet në faqen zyrtare të Qeverisë.

Në krahasim me aksionin e mëparshëm, risia është se këtë herë do të përfshihen edhe çmimet e peletit.

“Ne kemi vendosur një fokus të veçantë tek produktet vendase, sepse përmes promovimit dhe forcimit të prodhimit vendas mund të ndikojmë në mënyrë efikase në stabilizimin e çmimeve dhe në frenimin e inflacionit,” – tha zëvendëskryeministri për politikë ekonomike dhe ministër i zhvillimit ekonomik, Nik Gjeloshaj.

Lajmet e fundit
Related news