KUMTESË
Forumi Shqiptar ka dërguar një letër zyrtare të gjithë ambasadorëve të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, si dhe ambasadorëve të vendeve partnere – Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, lidhur me një nga çështjet kyçe të zhvillimit demokratik të Malit të Zi: sigurimin e përfaqësimit të duhur dhe të qëndrueshëm politik të popujve pakicë, veçanërisht të komunitetit shqiptar.
Në letrën që, në emër të Forumit Shqiptar, e ka dërguar z. Nik Gjeloshaj, theksohet se shqiptarët në Mal të Zi përfaqësojnë një pakicë kombëtare dhe gjuhësore autoktone dhe të vetmen jo-sllave, e cila prej shekujsh kontribuon në zhvillimin dhe identitetin e shtetit tonë. Megjithatë, përfaqësimi i tyre politik ende varet nga pragu elektoral i privilegjuar dhe nga fragmentimi i votave, pa asnjë garanci kushtetuese apo ligjore. Një zgjidhje e tillë nuk është në përputhje me standardet evropiane dhe përbën një burim të përhershëm të paqëndrueshmërisë politike.
Praktika evropiane tregon qartë shembuj të ndryshëm:
- Në Slloveni, pakicat italiane dhe hungareze, të cilat së bashku përbëjnë më pak se 0,5% të popullsisë, kanë secila nga një deputet të garantuar në parlament dhe të drejtën e vetos për ligjet që prekin të drejtat e tyre (neni 64 i Kushtetutës).
- Në Kroaci, pakica serbe me rreth 4,4% të popullsisë gëzon tre mandate të garantuara parlamentare, ndërsa të gjitha pakicat e tjera së bashku kanë edhe pesë të tjera.
Pra, në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, edhe komunitetet më të vogla gëzojnë mbrojtje të fortë institucionale dhe përfaqësim të sigurt politik.
Shqiptarët në Mal të Zi përbëjnë rreth 5% të popullsisë – dhjetë herë më shumë se pakicat italiane dhe hungareze së bashku në Slloveni – e megjithatë nuk kanë vende të garantuara në parlament. Përfaqësimi i tyre varet nga kalkulimet zgjedhore, gjë që nuk pasqyron peshën e tyre demografike dhe historike, as standardet evropiane që Mali i Zi synon t’i përmbushë.
Forumi Shqiptar propozon zgjidhjen përmes ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor:
- Të paktën katër mandate të garantuara parlamentare për pakicën shqiptare në Kuvendin e Malit të Zi, nëpërmjet modelit të mandateve korrigjuese.
- E drejta e vetos nga shumica e deputetëve shqiptarë për ligjet dhe aktet që rregullojnë drejtpërdrejt të drejtat dhe liritë e pakicave.
Kjo nuk është çështje privilegji, por e standardeve evropiane. Përfaqësimi i garantuar dhe mekanizmat mbrojtës janë thelbësorë për forcimin e besimit të komuniteteve pakicë në institucione, për ruajtjen e karakterit multietnik të Malit të Zi dhe për konfirmimin e gatishmërisë së shtetit tonë për të zbatuar në praktikë vlerat dhe rekomandimet evropiane.
Shqiptarët në Mal të Zi meritojnë një siguri politike të barabartë, madje edhe më të fortë, se ajo që gëzojnë italianët dhe hungarezët në Slloveni, apo serbët dhe pakicat e tjera në Kroaci.
Jemi të bindur se ambasadorët do ta kuptojnë rëndësinë kësaj çështjeje dhe do mbështesin nismën që, përmes ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor, shqiptarëve t’u sigurohet një përfaqësim i garantuar prej katër mandateve parlamentare dhe mekanizmat përkatës mbrojtës.
Vetëm një Mal i Zi, në të cilin të gjitha kombet dhe komunitetet janë të përfaqësuara në mënyrë të sigurt dhe të barabartë, mund të jetë një anëtare e qëndrueshme e Bashkimit Evropian.
Gjithashtu, Forumi Shqiptar i bën thirrje Komisionit për Reformën Gjithëpërfshirëse Zgjedhore të Kuvendit të Malit të Zi që ta shqyrtojë këtë kërkesë, me qëllim të sigurimit dhe përfaqësimit të drejtë dhe adekuat politik të popullit shqiptar në Mal të Zi.