Komisioni Evropian ka vlerësuar se Mali i Zi ka arritur përparimin më të madh në rrugën drejt integrimit evropian gjatë vitit të kaluar, krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Kjo është theksuar në raportin vjetor të Komisionit Evropian mbi progresin e vendeve kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).
Sipas raportit, Mali i Zi konsiderohet vendi më i avancuar në procesin e anëtarësimit, pasi ka hapur të 33 kapitujt negociues me BE-në. Deri tani, vendi ka mbyllur shtatë kapituj, ndërsa negociatat për anëtarësim kanë filluar para 13 vitesh.
Komisioni Evropian ka vlerësuar pozitivisht përparimin në fushën e drejtësisë, duke theksuar se gjatë vitit 2024 janë zbatuar fazat intensive të reformave në kuadrin ligjor që synon të garantojë pavarësinë, paanshmërinë dhe përgjegjësinë e gjyqësorit.