14.9 C
Tuzi
Saturday, October 18, 2025

IPP “Nënë Tereza” shënon përvjetorin e tretë” – Plot dashuri dhe përkushtim për fëmijët

Të nderuar zonja dhe zotërinj, i nderuari nënkryetar i komunës së Tuzit z.Fisnik Gjokaj , i nderuari drejtor i shkollës fillore Mahmut Lekiq z.Luigj Dedvukaj, të nderuar anëtar të këshillit drejtues të kopshtit, perfaqësues të këshillit të prinderve si dhe perfaqësues të mediave.

Është nder dhe kënaqësi e veçantë që sot jemi së bashku për të festuar Ditën e Kopshtit – ditën që na kujton se çdo gjë e bukur në jetë fillon me fëmijërinë.
Kjo ditë nuk është vetëm një festë e institucionit tonë, por një festë e dashurisë, përkushtimit dhe bashkëpunimit midis stafit, prindërve dhe fëmijëve tanë të mrekullueshëm.
Në këtë atmosferë të ngrohtë dhe plot gëzim, le të reflektojmë së bashku mbi rrugëtimin tonë, mbi çdo arritje e sfidë që kemi kaluar me shumë pergjegjesi dhe përkushtim.

Ky vit ka qenë i veçantë dhe i mbushur me zhvillime të reja, që dëshmojnë përkushtimin dhe punën e përbashkët të gjithë stafit arsimor. Numri i fëmijëve është rritur ndjeshëm, një dëshmi e qartë e besimit dhe vlerësimit që prindërit dhe komuniteti i tregojnë institucionit tonë çdo ditë. Ky besim është forca jonë lëvizëse, që na shtyn të ecim përpara me përkushtim edhe më të madh, për të ofruar kujdes dhe edukim sa më cilësor për çdo fëmijë.


Gjatë këtij viti kemi marrë pjesë në tre projekte të rëndësishme, të cilat kanë pasuruar ndjeshëm përvojën dhe zhvillimin e fëmijëve tanë dhe ato janë:

Eko-Shkolla – një projekt që ka për qëllim zhvillimin e ndërgjegjes mjedisore te fëmijët dhe edukimin e tyre për dashurinë ndaj natyrës, si të ruajnë dhe të mbrojnë mjedisin dhe të kujdesen për planetin tonë. Brenda këtij projekti janë zhvilluar edhe nën-projekte të veçanta, si ato për riciklimin e materialeve, mbjelljen e bimëve dhe mësimin praktik për ruajtjen e pastërtisë dhe gjelbërimit përreth nesh.

-Zhvillimi i qëndrueshëm i institucionit – këtë vit i është kushtuar temës së instrumenteve muzikore si pjesë e trashëgimisë sonë kulturore.
Përmes aktiviteteve të ndryshme, fëmijët kanë mësuar për instrumentet tona tradicionale, për vallet, këngët dhe kostumet tona popullore. Duke u njohur më thellë me trashëgiminë kulturore të vendit tonë. Kështu, përveç edukimit, kemi forcuar edhe ndjenjën e identitetit, përkatësisë dhe dashurisë për traditën tonë të bukur.

Per sa i perket familjeve të kujdesshme – një projekt që ka forcuar edhe më shumë bashkëpunimin ndërmjet prindërve dhe institucionit.
Përmes punëtorive dhe takimeve të përbashkëta, prindërit kanë pasur mundësi të mësojnë mbi mënyrat më të mira për kujdesin dhe zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve të tyre, duke krijuar një urë të fortë bashkëpunimi e mirëkuptimi.
Ky bashkëpunim i ngushtë ka sjellë rezultate të vlefshme duke ndihmuar që fëmijët të ndihen të mbështetur dhe të rritur me dashuri e kujdes.
Të gjitha këto projekte janë realizuar me profesionalizëm dhe ndergjegje te plote, falë stafit tonë të mrekullueshëm dhe mbështetjes së prindërve e të gjithë komunitetit.

Me shumë gëzim dhe krenari sot botojmë numrin e ri të revistës sonë “Dielli”, e cila tashmë është shndërruar në një traditë të bukur dhe një pasqyrë të sinqertë të punës sonë të përbashkët gjatë gjithë vitit.
Në çdo faqe të saj ndriçon përkushtimi dhe kreativiteti i fëmijëve tanë — dritat më të bukura që ngrohin dhe zbukurojnë çdo ditë institucionin tonë.

Një hap tjetër i rëndësishëm që kemi ndërmarrë është zgjerimi i kuzhinës së institucionit, që do të mundësojë përgatitjen e të gjitha vakteve ditore brenda institucionit.
Kjo nënkupton ushqim më të shëndetshëm, më të freskët dhe nën kontroll të plotë higjienik për fëmijët tanë. Me shumë krenari njoftojmë se kemi fituar licencen, që garanton standardet më të larta të sigurisë dhe cilësisë ushqimore.

Në përmbyllje, dua të shpreh mirënjohjen time ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Inovacionit, Komunës së Tuzit, Entit për Shkollim, dhe të gjithë prindërve tanë, për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe besimin e vazhdueshëm që kemi ndarë gjatë këtyre tre viteve si institucion i pavarur.
Le të vazhdojmë së bashku, me dashuri, përkushtim dhe vizion të qartë, në rrugën tonë të bukur të edukimit.
Sepse çdo hap që bëjmë sot për fëmijët tanë është një hap drejt së ardhmes së ndritur të shoqërisë sonë.

Në emër të IPP “Nënë Tereza”, dhe në emrin tim personal, të gjithë trupit arsimor,fëmijëve dhe prinderve ua uroj Gëzuar ditën e Kopshtit

Drejtor Msc David Junçaj

Lajmet e fundit
Related news