🇦🇱 Të nderuar qytetarë,
Komuna e Tuzit ka paraqitur kallëzim kundër Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore, për dyshim në veprim të paligjshëm dhe të parregullt gjatë lëshimit të kushteve urbanistiko-teknike me nr. 06-333/24-13399/8, datë 07.11.2024.
Këto kushte urbanistiko-teknike kanë të bëjnë me ndërtimin e kadeve sanitare nr. 5 dhe 6 në pjesën e parcelës kadastrale nr. 9/1, e cila gjendet në territorin e Komunës së Tuzit. Ministria i ka lëshuar këto kushte pa marrë mendim dhe pëlqim nga organet kompetente të Komunës së Tuzit, duke shkelur kështu parimin e ligjshmërisë dhe kompetencës, në përputhje me Ligjin për planifikimin hapësinor dhe ndërtimin e objekteve.
Komuna e Tuzit thekson parregullsitë në vijim:
Ministria nuk ka respektuar detyrimin e përcaktuar për bashkëpunim me organet e vetëqeverisjes lokale (neni 74 i Ligjit për planifikimin hapësinor dhe ndërtimin e objekteve – „Fletorja Zyrtare e MZ”, nr. 64/17, 44/18, 63/18, 11/19, 82/20, 86/22, 04/23).
Kushtet teknike nr. UPI-02-041/24-7427/2, datë 04.11.2024, të lëshuara nga “Ujësjellës dhe Kanalizim” sh.a. Podgoricë, janë në kundërshtim me ligjin, pasi për të njëjtën çështje kompetent është “Ujësjellës dhe Kanalizim” sh.a. Tuz.
“Deponia” paguan rregullisht faturat për ujë te ndërmarrja në Tuz, çka e konfirmon qartë kompetencën.
Akti nr. UPI 11-341/24-2629, datë 01.11.2024, me të cilin Sekretariati i Kryeqytetit lëshon kushte trafiku për territorin e Komunës së Tuzit, është sjellë jashtë kompetencës reale dhe vendore, dhe bie ndesh me Ligjin për planifikimin hapësinor dhe ndërtimin e objekteve.
Gjithashtu, theksojmë se Kuvendi i Komunës së Tuzit më 28.12.2023 ka marrë Vendim për shfuqizimin e Vendimit për miratimin e Projektit Urbanistik „Deponia sanitare me qendër riciklimi” në Podgoricë („Fletorja Zyrtare e MZ – aktet komunale” nr. 40/19), me nr. 02-016/23-8564/1, i botuar në „Fletoren Zyrtare të Malit të Zi” nr. 03/24.
Komuna e Tuzit do të këmbëngulë në mbrojtjen e kompetencave të saj ligjore dhe të drejtave të qytetarëve, me përgjegjësi të plotë ndaj interesit publik dhe ligjeve që rregullojnë planifikimin hapësinor dhe ndërtimin e objekteve. Nuk mund të lejojmë që vendimet të merren jashtë procedurave të përcaktuara, sepse kjo cenon sigurinë juridike dhe të drejtat e qytetarëve tanë.
Ftojmë organet kompetente që të shqyrtojnë ligjshmërinë e veprimeve të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronës Shtetërore dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e qytetarëve tanë në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi.