24.9 C
Tuzi
Wednesday, September 17, 2025

Gjokaj: Nëse Kryeqyteti nuk pranon ndarjen e pasurisë me Tuzin, do të fillojmë procesin e arbitrazhit

Kërkoj përgjegjësi institucionale nga Kryeqyteti lidhur me çështjen e ndarjes së Podgoricës me Komunën e Tuzit, dhe nëse së shpejti nuk marrim përgjigje prej tyre a është e pranueshme për ta ndarja e pasurisë në vlerën 15 përqind do të fillojmë procesin e arbitrazhit, tha Naim Gjokaj, kryetar i Komisionit për ndarjen e Kryeqytetit dhe Komunës së Tuzit.

I pyetur nga “Dan” se çfarë afati i japin Kryeqytetit për t’u deklaruar, Gjokaj tha se nuk kanë një afat të caktuar, por se nuk do të presin gjatë.

– Nëse nuk marrim përgjigje nga vetëqeverisjet, sipas të gjitha procedurave do ta njoftojmë Qeverinë dhe ajo do të marrë vendim për arbitrazh. Në atë mënyrë të gjithë anëtarët e Qeverisë do të njihen me rrjedhën e procesit. Nuk ka afate që do t’i vendosim, por nuk do të presim gjatë, sepse procesi tashmë është duke zgjatur shumë. Nëse është e nevojshme, do t’i dërgoj sërish shkresë Kryeqytetit – tha Gjokaj.

Ai theksoi se procesi është duke zgjatur shumë dhe se synimi i tij, kur u zgjodh kryetar i komisionit, ishte që gjithçka të kryhej më me efikasitet dhe cilësi, në mënyrë që të kënaqen të gjitha palët.
– Fillimisht nisëm që të përfundojmë procesin me Tuzin. Komisioni ka pasur disa mbledhje. Problemi më i madh është ndarja e pasurisë. U përpoqa t’i mbledh për të biseduar mbi ndarjen e pasurisë. Në mbledhjen e parë nuk pati kërkesa konkrete. Në të dytën kërkova kërkesat e të dyja palëve. Komuna e Tuzit i dorëzoi të vetat dhe kërkoi, sipas formulës së vet, 15 për qind të pasurisë së Kryeqytetit. Kryeqytetit i dhashë afat, por deri më sot nuk kanë dhënë përgjigje. Kam dërguar shkresa që palët ta kuptojnë seriozitetin e procesit – tha Gjokaj.

Gjokaj mendon se të gjitha protestat në Tuz dhe Zeta janë pikërisht për shkak se procesi i ndarjes nuk është përfunduar.
– Po kërkoj përgjegjësi institucionale nga Kryeqyteti. Hapi më i rëndësishëm është të arrihet tek ndarja e pasurisë – thekson Gjokaj.

Lajmet e fundit
Related news