Në sheshin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Tuz ka nisur sot edicioni i gjashtë i Panairit të Librit, i cili do të zgjasë deri më 12 shtator 2025. Aktiviteti organizohet nga Komuna e Tuzit dhe sjell një program të pasur me lexime, takime me autorë, promovime librash dhe diskutime mbi rëndësinë e librit në jetën kulturore e shoqërore.
Panairin e shpalli të hapur kryetari i Komunës, Lindon Gjelaj, i cili theksoi se kjo ngjarje tashmë është shndërruar në traditë që nxit kulturën e leximit dhe dashurinë për dijen. Ai falënderoi autorët, botuesit dhe vizitorët për angazhimin dhe praninë e tyre.
Ceremonia e hapjes u shënua edhe me prezantimin e librit “Ora e Kosovës: Pavarësia dhe shtetndërtimi”, i ish-presidentit të Kosovës, prof. dr. Fatmir Sejdiu. Përveç autorit, mbi librin foli edhe dr. Ibrahim Berisha, ndërsa moderimin e mbajti Rina Muhaj.
Në këtë edicion marrin pjesë 38 shtëpi botuese, duke e kthyer panairin në një qendër të rëndësishme takimi për autorë, lexues dhe botues.