24.9 C
Tuzi
Wednesday, September 17, 2025

Filmi “Lejleku” (Roda) i Isa Qosjes do të mbyllë edicionin e dhjetë të festivalit “Xhada Film” të dielën në Kinotekën e Malit të Zi

Filmi “Roda” (Lejleku) i regjisorit Isa Qosja, shfaqja e të cilit të mërkurën mbrëma në një lagje të Podgoricës u ndërpre nga një incident, do të rikthehet të dielën në orën 20:00 në Kinotekën e Malit të Zi. Me këtë shfaqje do të mbyllet zyrtarisht edicioni i dhjetë i festivalit “Xhada Film”, kanë bërë të ditur organizatorët.

Drejtoresha ekzekutive e festivalit, Nina Lonçar, tha se gjatë përgatitjes së edicionit jubilar, organizatorët nuk e kishin menduar kurrë se do të gjendeshin në një situatë ku do të flisnin për incidente në vend të filmit.

“E nisëm vitin e dhjetë me entuziazëm, me krenari për gjithçka që kemi ndërtuar deri tani bashkë me publikun, autorët, fqinjët dhe krijuesit e filmave nga e gjithë bota. Gjithçka po shkonte sipas planit deri në momentin kur gjatë shfaqjes së filmit Roda u ndërpre ajo që nuk do të duhej të ndërpritej kurrë – e drejta e autorit për të treguar historinë dhe e drejta e publikut për ta dëgjuar atë. Prandaj vendosëm që pikërisht ky film ta mbyllë këtë vit ‘Xhadën’”, theksoi Lonçar.

Ajo shtoi se Roda shkon përtej një vepre filmike.

“Ky është një mesazh dhe përgjigjja jonë. Do ta mbyllim edicionin jubilar të ‘Xhadës’ me dinjitet, me guxim dhe së bashku. Reagimet pas incidentit treguan se nuk ka vend për indiferencë, dhe nuk duhet të ketë. Festivali prej dhjetë vitesh dëshmon se nuk mbështet asnjë formë dhune, e aq më pak urrejtje etnike”, u shpreh Lonçar.

Lajmet e fundit
Related news